Besi Bekteshi BLOG

Mire se erdhet!

mercoledì 7 dicembre 2011

Njerzit e operas se pare shqiptare, Mrika

Opera Mrika, ose guximi madhështor i artistëve shkodranë në dhjetorin e 1958.

Personazhet dhe interpretët e Operas së Parë Shqiptare.


Dossier

Besi Bekteshi

Patjetër që në mes dokumentave të trashëguara në dosjen muzikore në “Arkivin e Muzeut Historik të Shkodrës” një nga më interesantet është edhe historia e operas së parë shqiptare e Prenk Jakovës me libret të Llazar Siliqit. Tashmë në dhjetor janë mbushur 53 vite nga shfaqa e parë e saj në teatrin Migjeni të Shkodrës. Opera Mrika me bazë veprën “Dritë mbi Shqipni” është vepra e parë operistike e organizuar, arritur dhe shfaqur në fillimet e saj, në mënyrë ekskluzive nga forcat krijuese, talneti dhe guximi i qytetit tradicional, kulturor të Shkodrës. Ishte në atë kohë një vështirësi e madhe të vensosje në skenë, të mblidhje orkestrantë, tenorë, soprano, skenografi, anturazhë, grim, kostumografim balet dhe valle etj. Por gjenialiteti i Jakovës, regjizura e Andrea Skanjetit dhe talenti i më se 62 koristëve dhe 42 orkestrantëve të evidentuar në mënyrë perfekte në afishen e kohës, kanë bërë të mundur realizimin e një vepre të pa menduar ndonjëherë në Shqipëri dhe e realizuar në Shkodër. Në të vërtetë puna nga Jakova ka filluar në vitin 1956 dhe provat me përfundimk të partiturave i bënte pa filluar qartë vepra me këngëtarë “amatorë” të konsideruar dhe mkidis tyre ishin Klodilte Shantoja, Florinda Gjergji, Ndrekë Gjergji dhe Petrit Garuci...midis shumë e shumë të tjerëve. Provat zyrtare kanë filluar në vitin 1958-të dhe duhet thënë se në Tiranë, nuk kishte asnjë pikë besimi që një inisiativë e tillë do të kishte sukses në saj edhe të një mos besimi në “forcat amatore” të Shkodrës. Mirëpo Prenk jakova si gjithmonë një idealist vizionar i pa shërueshëm dhe normalisht me një mbështeje të njerve po të tillë  në Shkodër filloi edhe provat dhe punën e madhe, ose më mirë kolosale për operan e parë shqiptare. Në shkrimin tim dua ti bëj një homazh të detyrueshëm të gjithë atyre që morën pjesë në këtë “vepër të pamundur” jo vetëm për nga madhësia dhe gjinia, por edhe nga interpretimi dhe sidomos një nga ariet më të bukura që është aty dhe që titullohet “Dielli ka perendue”.  Opera “Mrika” u shfaq më vonë edhe në Tiranë nga trupa e sot TOB-it ku në rolet e saj interpretuan këngëtaret e njohura Marije Kraja, Lluk Kaçaj, Avni Mula, Ibrahim Tukiqi, Jorgji Velo dhe me dirigjent Mustafa Krantja. Shfaqja pati sukses të plotë. Megjithatë unë do të paraqes njerzit e jashtëzakonshëm të bënë të mundur shfaqen e madhe operistike dhe dhjetorit 1958-të dhe ekzaktësisht 1 dhjetor e në vazhdim e shfaqur 18-të herë në Shkodër. Ishte dashur shumë nga Jakova që shfaqa të jepej në festat e Nëntorit, por vdekja e aktorit të madhe të teatrit Migjeni Zef Jubani e shtyu me datën 1 dhjetor.
Kush ishin pjesmarrësit e këtij suksesi të jashtëzakonshëm dhe operas së parë shqiptare e organizuar dhe realizuar në Shkodër!
Unë kam fatin të kem edhe listën reale dhe fletët origjinale të pikërisht ftesës së parë të kësaj mrekullie muzikore shqiptare.  Lista është e gjatë. Fillon me autorin dhe dirigjentin Prenk Jakova, regjia Andre Skanjeti, as dirigjent Tonin Harapi, konsulent Kristaq Antoniu, kor maestër Leonard Deda, Zef Leka, Tonin Zadeja dhe Tonin Daija. Pastaj koncert maestër Tonin Harapi dhe Gjon Saraçi. Pedagoge zëri Shpresa Nishani dhe me piktorë Gjon Hila, Çesk Vuksani e Lec Fishta. Normalisht që shfaqa ishte një produkt i Shtëpisë së Kulturës dhe Krijimtarisë Popullore Shkodër.
Kush janë personazhet, interpretët dhe bashkëpunuesit e operas Mrika?
Mrika është interpretruar nga Klodilde Shantoja dhe Florinda Fishta, Mara e ëma e Mrikës nga Aneta Nikaj Gjini ose daja i Mrikës nga Petrit Garuci, Ndou ose gjyshi i Mrikës nga Filip Krroqi, Gjeta ose i fejuari në djep i Mrikës nga Leo Prela dhe Mark Shllaku. Pastaj Doda nga Abdullah Kalaja, Dava është luajtur nga Klotilde Shantoja, Florinda Fishta dhe Lajde Banushi, Mira nga Roza Banushi, Bardhoshja nga Liza Gajtani, Agimi nga Ndrekë Gjergji, Azizi Mark Shllaku dhe Leo Prela. Pastaj vullnetari nga Hamdi Borshi kurse diversantët nga Omer Osmani, Hasan Smaja, Pjerin Ashiku dhe Zef Beltoja. Inspektor skena ka qënë Ndrek Prela, dritat Teufik Duka dhe Sabah Prizreni, por nuk kanë munguar marangozët Lec Prendi, Kol Lufi, Tom Prela dhe Ndoc Karma. Teknikët  skenës kanë qënë Maliq Sejdini. Osman Gruda, Fehmi Gogori dhe Kolë Ndoca. Rekuizitjere ishte Marije Curani, sufler Leonard Deda dhe makjazhi Kin Jaku. Nga vetë prezantimi del qartë dhe sasia dhe kualiteti i njerzve në operan e parë shqiptare.
Por ajo që bënte përshtypje në opera dhe që tregonte edhe fuqinë e madhe të trashëgimisë artistike dhe muzikore është kori me 62 veta të cilët në fakt nuk ishin profesionistë dhe disa prej tyre ishin dhe solistë, por unë po botoj listën e saktë të emrave të koristëve shkodranë në operan Mrika.
Fillon me Lajde Banushi, Gjenovefa Paloka, Rozina Bushati, Margerita Shllaku, Sonja Gllasovi, Leposava Donzha, Kimete Hoxha, Albina Gjonej, Margerita Deda, Anunciata Buriçi, Roza Xhuxha, Jolanda Oroshi, Leila Alibali, Neziha Buriçi, Gjyzepina Gjinaj, Liza Dushi, Regjina Nika, Luçie Pali,Vasilika Bojaxhiu, Neta Paloka, Franka Guraziu, Vitore Barbullushi, Neta Cepi, Tonine Kolombi, Liza Gajtani, Neta Radovani, Vera Prela, Vitore Paloka, Kermalina Gjergji, Regjina Hajmeli, Veronika Prendi. Pastaj vazhdojnë meshkujt me Nevruz Kalaci, Mikel Hilaj, Zef Beltoja, Jovan Shallvari, Pjerin Ashiku, Paç Kallmeti, Nut Gjyrezi, Qazim Kraja, Xhemal Gramshi, Ndoc Kujxhia, Mark Veli, Tonin Bjanku, Gjon Maka, Syri Kastrati, Ejell Hajmeli, Lodovik Prela, Mustaf Smaja, Angjelin Dodmasej, Nazmi Kraja, Zef Paloka, Xhevad Hajdari, Nikolin Shkrivani, Dhimitër Banushi, Sheuki Mati, Hamdi Borshi, Lec Krroqi, Angjelin Zadeja, Rrok Dushi, Gjon Vata, Nuri Haliti dhe Ismet Halili. 
Kjo listë e gjatë e emrave që kanë qënë dhe që një shumicë tashmë nuk jetojnë më, kanë vazhduar të kenë profesione të artit në përgjithësi, por janë edhe 42 orkestrantë absolutisht të talentuar që kanë bërë të mundur ekzekutimin e veprës kolosale të Prenk Jakovës. Emrat e tyre janë: Ndoc Shllaku violinë e parë, spala, Tonin Daija violinë e parë spala, Mark Kaftalli, po ashtu, Gjovalin Xhanxhafili violinë, Zef Alimhilli violinë, Paulin Shestani violinë, Robert Prendushi violinë e dytë spala, Luigj Lacaj po ashtu, Henrrik Daragjati violinë e dytë, Aleksandër Garxhola po ashtu, dhe mbas tyre Sulejman Gracevi, Zef Simoni, Hyll Drishti, vazhdojnë Angjelin Zojsi vjolë sëbashku me Gjush Darragjati dhe Zef Harapi, pastaj Gjovalin Lazri vjoloncel sëbashku me Kolë Gjinaj dhe Angjelin Shiroka, pastaj Çesk Jakova kontrabas, sëbashku me Gjon Kapidani. Janë me flaut Tish Hilaj flaut i parë dhe Nush Voci flaut i dytë, janë Tonin Laca me oboe i parë dhe Skënder Hoxha me oboe i dytë, Muhamet Grimci klarinet i parë dhe Guljem Përdoda me klarinet i dytë. Gjon Saraçi fagot in parë, Tonin Zadeja fagot i dytë, Ferdinand Bushati korno i parë, Pjetër Kçira korno i dytë, Nush Deda korno i tretë dhe Burhan Boksi korno i katërt. Vazhdojnë Abdullah Haxhija trombë e parë, Gjovalin Baba trombë e dytë, Nush Shllaku trombon i parë, Zef Bushati trombon i dytë, Abdullah Salabegu trombon i tretë. Pastaj Ndoc Gjergji baz-tuba, Ndoc Pistulli pianoforte – harpë, Palok Kurti timpani dhe Gjon Jubani bateri.
Këto janë të gjithë emrat e atyre që dhanë në publikun shkodran dhe shqiptar, operan e parë të realizuar në Shkodër dhe njëkohësisht artistët të cilët kanjë bërë të mundur vazhdimin e traditës së mrekullueshme shkodrane në muzikë dhe kulturën artistike shkodrane. midis tyre ka pasur piktorë të famshëm, regjizorë dhe instruimentistë virtuozë me famë edhe ditët e sotme.

Opera Mrika ka dalë si trashëgimi vlerash nga të mëdhenjtë e qytetarisë shkodrane si Palok Kurti, Lec Kurti,  Kardinal Mikel Koliqi, Pader Martin Gjoka,  Shuk Shllaku,  dhe ka vazhduar kjo traditë të prodhojë të lartë të tjerë të muzikës si Ramadan Sokoli, Tonin Harapi, Tish Daija, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Gjon Kapidani etj. ‘Mrika’ mishëroi ëndrrën e të gjithëve, por sidomos artistëve shkodranë me në krye të madhin Prenkë Jakova që dhe Shqipëria të kishte operan e saj.

Kujtimi i një plejade të tillë e cila arriti një sukses të madh të kohës, i cili vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një kujtim gati legjendë për realizimin e veprës operistike, është një detyrim moral i ditëve të sotme. Patjetër që mbas kësaj vepre kanë dalë vepra të tjera, por kjo është pionierja e gjinisë së operas dhe njerzit e saj po ashtu, janë pionierët e fillimit të muzikës së madhe që na bashkonte me botën e qytetëruar. Ky përvjetor i Operas Mrika, është një moment reflektimi i madh dhe sidomos frymëzimi për të pasur parasysh se me çfarë guximi artistik dhe sakrifice njerzore, dalin veprat e mëdha. Normalisht që Shkodra ishte, dhe për fat vazhdon të jetë, një dallëndyshe e muzikës, orkestrimit, interpretimi, me shpresën për tu ngritur në atë shkallë guximi dhe pasioni si shumë dekada më parë.















mercoledì 10 agosto 2011

Censusi i Austriakëve në vitin 1818


Ja si austriakët donin të regjistronin popullsinë në vitin 1918-të

Censusi austriakët në kohën e pushtimit.


Nga Besi Bekteshi


Nuk ka asnjë dyshim, se ata pushtues apo sundues ushtarakisht në territorin shqiptar, që kanë dashur vërtetësisht të regjistrojnë popullsinë e Shqipërisë, kanë qenë austriakët dhe sidomos “Korpskomanda” e tyre ushtarake.
Ishin vitet e trazuara 1917-18-të, dhe të huajt në Shqipëri kishin edhe tentativat e përveçme të një administrimi shtetëror, por nuk është ky shkrimi që merret saktësisht me këtë problem. Ishte kohë ushtrish dhe lëvizjesh nga më të mëdhatë dhe shqiptarët ishin në vështirësi. Por po kthehem në të sotmen. Normalisht që ka pasur një periudhë të gjatë kohe, që nga dalja e vendimit të qeverisë shqiptare për regjistrimin e popullsisë, dhe pastaj edhe lënin e këtij regjistrimi mbas zgjedhjeve edhe si pasojë e lëvizjeve antiregjistrim për kombësinë, por edhe si një kujdes për të mos djegur oportunitete përpara zgjedhjeve. Gjithsesi në Muzeun Historik në Shkodër, është e ruajtur një qarkore urdhëresë e “Korpskomandës”, për të dhënë edhe detajet e regjistrimit të popullsisë në vitin 1918-të. Në këtë qarkore urdhër, duket sheshit si austriakët e njihnin situatën, dhe po ashtu kërkonin vërtetësisht të regjistronin shqiptarët, dhe mbas këtij qëllimi ishte edhe zgjerimi i pushtetit politik, por edhe administrimi më i mirë, së paku i atyre territoreve që ishin nën atë kontroll ushtarak në atë kohë . Pra ishte një urdhër i “A.O.K. Gstbs nr 1496, i datës 17 korrik të 1917-tës, që kërkonte regjistrimin e popullsisë në rrethet e të gjitha Bezirkskomandat e Ekspositurave. Pra në të gjitha qarqet dhe donte të caktonte të gjitha llagapet apo mbiemrat e shqiptarëve. Numri një si neni fletushkës ishte “Organizmi i numërimit të popullit”. Urdhërohej vendosja e një “Komisari të Besirskut” dhe po ashtu referencat në organizim të nënprefekturave dhe deri në komisarëve të numërimit, për secilën bashki dhe komunë. Përcaktoheshin qartë detyrat e punonjësve të numërimit dhe regjistrimit, dhe rradhojtë e këtij numërimi të madh në Shqipëri. Kishte një urdhër plan numërimi dhe regjistrimi, por edhe “komisija” apo komisioni, që do të udhëtonte në çdo vend, dhe do të shikonte çdo veprim në regjistrimin e madh të popullsisë. Kishte të caktuar të shumtë edhe në qoftëse se “sekretari diftohej i pa zoti në shkrim, në këtë rast duhej të zëvendësohej nga vetë komisari”.
Pastaj fillonin nenet dhe i pari ishte ai që thoshte: Vendime zbatimi, dhe numri një ishte se “Njerëz, ushtarë, austroungarë, apo të ushtrive të beslidhura, si dhe rob lufte, nuk do të shtihen në numërim”.
Do të numëroheshin rradhorët, pra librat e regjistrimit, pastaj krerët e rradhorëve. Pastaj do të fillonte regjistrimi i ndërtesave, dhe këtu futeshin të gjitha përfshi dhe vëndet e kultit dhe gazermat. Regjistrimi vazhdonte me “pjesët e vendit”, pra lagjet apo mëhallat, me emrat përkatëse dhe kufijtë. Por në të gjitha rastet, numrat e shtëpive dhe në qoftëse kishte gabime, duheshin ndrequr. Mbas këtij veprimi, vinte “mbarështrimi i shtëpive” pra njerëzit apo banorët. Jepeshin edhe modalitetet për raste të ndryshme. Do të shënohej edhe “gjendja e mbarështruesit apo zotit të shtëpisë” dhe neni 10-të, kishte edhe pyetjen e të zotit të shtëpisë. Duhej patjetër që komisioni të pyeste për gjendjen dhe komshinjtë apo kushërinjtë, apo banuesit me qira etj., etj. Mbas kësaj vinin “ndëshkimet” në qoftëse “komisija” , apo komisioni, vinte re që ka “diftime të pa drejta”. Neni 12-të kishte përcaktimin e “gjinisë” dhe burrat detyroheshin të dilnin të gjithë përpara komisionit. Kurse për femrat thuhet në qarkore se “do të ishte e dëshirueshme për të ardhur, por nuk mundet të ketë shtrëngim për këtë gjë”. Neni 13-të ishte edhe përcaktimi i moshës, i cili është e caktuar si një proces i vështirë, por që kërkohej të kryhej me një mënyrë të caktuar. Caktohej qartë se duhej ruajtur nga mashtrimet dhe “diftimet e shtrembra”. Neni 14-të, ishte përcaktimi i vendit të lindjes dhe 15-ta shtetësia. Shtetësia ose “tabi-jeti” do të vërtetohej edhe për ato që “nuk kanë të ngulun në nji vënd”. Pra edhe njerëz të ardhur, por që janë ngulur si zota tokash apo si tregtarë prej shumë vitesh. Por edhe në qoftëse gjinden si të ardhur, do të kishte një klauzolë për tu shënuar edhe vëndi nga kanë ardhur. Neni 16-të, ishte “Besimi” dhe thuhej se “për punë besimi do të shënjohen damas, apo veç e veç, katolikët romakë e grekët e bashkuem, e po ashtu orthodhoksët orientalë, orthodhoksët grekë, serbë e bullgarë. “Degës mohamedane të Bektashinjve do ti jepet nji kujdes i veçantë”, thuhet në qarkoren. Normalisht duke qenë se shumica e popullit ishte e besimit islam, kjo nuk diskutohej si një sistem shënimi dhe përcaktimi. Por ajo që sot diskutohet dhe thuhet në problematikën e regjistrimit e që ka bërë polemika të mëdha dhe organizime të larta te ne, është në nenin pasardhës. Pika 17-të ishte “Kombësija e Popullit” dhe thuhej se “si kombësi do të njihet ajo që difton i pyetuni”. Pra ishte me dëshirë, por ama shtohej se ishte e vështirë dhe sepse në shumë raste “ nuk mund të ndajnë kombësinë nga besimi dhe “diftohen në shumë raste turq”, pra organet e numërimit do të vërtetojnë çfarë gjuhe flitet lirshëm në shtëpi. Kurse për vllehtë “vihet re” se shumë herë e thërrasin veten zinzar dhe Arumun.
Qarkorja sqaron se “Gabelit (arixhinjtë) të shënjohen përherë si Gabela ose Arixhinj, dhe në qoftëse gjuha e tyre është shqip. Këtu qarkorja kërkon të ndajë kombësinë e tyre nga ajo e shqiptarëve. Por ama qarkorja thotë edhe se: “Duhet të bëhet ndryshim ndërmjet të gabelëve të ngulur dhe atyre shtegtarë dhe kuptohet se statistika e këtij momenti, kërkon të jetë sa më e qartë. Neni 18-të kërkonte edhe përcaktimin e diturisë së shkrimit dhe kjo duhej bërë me provë. Pika 19-të kërkonte “gjendjen e familjes” dhe sqaronte se mohamedanët kanë të drejtë për më shumë se një grua, dhe jo më shumë se katër. Pastaj vinte edhe pika 20-të që ishte “dega bujqësore” , pra kush punonte tokat e tij, dhe kush me qira apo nuk kishte etj etj. Vazhdonin pikat për zanatet, për zanatin kryesor dhe duheshin të dhëna të imta në këto raste. Kërkohej të dihej kush ishte pa zanat dhe i pa punë dhe shumë e shumë sqarime të tjera mbi gjendjen vetjake dhe sociale. Në fakt, ishte një pyetësor rrënjësor dhe esencial për të pasur dijeni të plota mbi gjendje shoqërore të asaj kohe. Kurse nga pikat e fundit ishte ajo 25-së që detyronte që i gjithë pyetësori të mbushej si në shqip dhe gjermanisht duke ditur se ishte pikërisht gjuha e pushtetit të Austrisë, që po merrte këtë iniciativë kaq të madhe. Më vonë, ishin pikat e cilësimit të regjistrimit dhe verifikimit të pyetësorit i cili mbyllej me pikën 28-të që ishte “Të mbyllunit e numërimit të popullit e të caktuemit të emrave”. Koha e caktuar ishte deri me 31 maj të 1918-tës. Qarkorja kishte edhe një prapashtesë për sqarimet në rast se njerëzit nuk gjendeshin, por dhe kopjen e dytë të numërimit të popullit dhe dhënien e dëshmisë të qartë tashmë në çdo “Bezirk” prej zyrës së përgjithshme të statistikës. Gjithashtu në fund, ishte dhe një format i fletës së regjistrimit, në të cilën detyroheshin qartë edhe kërkesat dhe vendet e plotësimit korrekt.
E gjitha kjo iniciativë për regjistrim, ishte përpjekja e parë serioze e cila nuk është se ka pasur shumë sukses për arsye të kohës së turbullt dhe për arsye se ishte një iniciativë e njëanshme, por duhet sqaruar se pyetësori ishte shumë serioz dhe që merrte parasysh shumë situatën e asaj kohe në trevat shqiptare. Nuk është hera e parë që kërkesa për regjistrim, ka pasur edhe atë kërkesë për të cilën sot ka shumë dilema dhe shumë polemika. Gjithsesi kërkesa edhe atëhere ka qenë dhe saktësisht e vrojtuar si një fenomen problematik edhe për atë kohë, por kërkesa ishte e mirë përcaktuar si e tillë. Sot kemi një moment tjetër, krejt tjetër, por ama regjistrimi i shqiptarëve apo popullit, duhet bërë. Sepse edhe në krye të qarkores ligj thuhej edhe në atë kohë. Numërimi i popullit 1918-të.

giovedì 7 luglio 2011

Hrushovi në Shkodër në maj të 1959.

Dosier speciale
Nga Besi Bekteshi
Foto te pa botuara dhe batutat ne vreshtin e madh te Shtojit
Hrushovi në Shkodër në maj të 1959.
Në Shtoj, debati Hrushovit me Mehmet Shehun.
“Koka jote nuk rritet më, kurse misri të garantoj se rritet”
“Mbillni misër në fushë, kurse rrushin në kodra e mos prishni lekët kot” .
Ka qënë e mërkurë e fundit të majit të vitit 1959-të, kur Nikita Hrushov ka nisur rrugën për në veri të vëndit me destinacion, qytetin e Shkodrës. Në të vërtetë, sëbashku me Enver Hoxhën gjatë rrugës janë ndalur të shikojnë bonifikimet në Thumanë. dhe aty njeriu numër një i “kampit socialist” është kënaqur kur i kanë thënë se “eksperienca e madhe sovjetike ka bërë që bonifikimet në Shqipëri të jenë kaq madhështore”. Pastaj të dy drejtuesit komunistë edhe pse në dukje të parë shumë të “dashur”, por në një aktrim të madh miqësie, janë ndalur në Lezhë, ku ka pasur një manifestim të madh për Bashkimin Sovjetik. Më pas, ka nisur vizita në Shkodër, ku ka pasur një hyrje me makina në qytet, një vazhdim në këmbë, dhe një miting të madh në qytetin verior më afër Jugosllavisë së Titos, që Enver Hoxha dhe Nikita Hrushov kanë bërë sëbashku. Ishte viti dhe koha, kur rusët kishin kuptuar se komunistët shqiptarë po dilnin akoma më radikalë se vetë shteti i madh komunist, ishte koha kur Hrushovi, donte të rregullonte problemet me Jugosllavinë e Titos, ishte koha kur klika e Tiranës, puthesh me sovjetikët, por mbas shumë pak, do të mbronte Stalinin, i cili ishte dënuar për kultin dhe krimet e tij, në pikërisht perandorinë  kuqe. Në fakt, janë fotot e duhura të shoqërimit të Hrushovit nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, si në rrugë dhe në tribuna, por dhe sidomos në Shtoj, pikërisht në vreshtin e madh të Shkodrës, ku Nikita Hrushov dhe Mehmet Shehu, kanë shkëmbyer replika mbi vreshtin, misrin dhe egzigjencat bujqësore por edhe kushtet e të mbjellave në Shqipëri. Për vizitën e Hrushovit në vreshtin e Shtojit, Enver Hoxha në kujtimet e tij thotë vetëm se : Vizituam vreshtin e Shtoit. Nuk i pëlqeu. «Pse prishni lekët kot», na tha miku. Por në fakt, ka pasur më shumë se sa kaq. Janë fotot dhe shikohen mirë fytyrat e vrënjtura të Enverit dhe Hrushovit, por edhe emotiviteti në xheste i Mehmet Shehut. Normalisht që një pjesë e madhe e këtyre fotove, nuk janë botuar fare gjatë regjimit, por edhe ruajtja e tyre në negativa, ka pasur një histori në vete. Edhe sipas dëshmitarëve në bisedë, por edhe sipas Agim Popës si përkthyes, çështja ka qënë te vreshti, mbjellja e tij dhe misri.
Fotot e këtij momenti janë të jashtëzakonshme, dhe aty shikohet qartë edhe gjëndja psikologjike e personazheve.
Hrushovi gjatë ecjes në këmbë në vreshtin e madh të Shtojit, në një moment është ndalur dhe i vrejtur në fytyrë, por edhe me një zë të qartë dhe të vendosur ka thënë se, “nuk është aspak normale të mbillni në tokën bujqësore hardhi, kjo tokë duhet mbjellë me misër”. E vetëm pak sekonda më pas, mbasi ka hedhur sytë nga kodrat afër Shtojit, ka treguar me dorë dhe ka thënë: Hardhitë mbillini në kodrat aty, që janë djerrë!!
Dikush si prezantues i fermës bujqësore, si specialist, i ka treguar Hrushovit se “ju ka rezultuar se kjo tokë ishte vetëm për pemë, sepse ajo strukturë paraqitej”. Por Hrushovi ka qënë tepër këmbëngulës, dhe ka thënë se “po të kishte shërbim dhe kujdes, aty merreshin rezultate të larta në misër, dhe patjetër në kodra mund të kishte edhe vreshtë”, kështu që.....!! Biseda është dëgjuar si nga përkthyesit dhe përfaqësuesit vëndor në takimin e Shtojit.
Hrushovi pastaj është bërë akoma më instistues dhe ka vënë bast se “me një punë të mirë, misri bëhet 2 metra” dhe e kishte fjalën pikërisht në Shtoj. Por në këtë moment, ka ndërhyrë Mehmeti, e duke bërë edhe me dorë  ka thënë: Po të rritet misri këtu, unë pres kokën me duart e mia!! Hrushovi në këtë rast ka thënë pastaj batutën e famshme të asaj kohe: Mos u ngut për të prerë kokën shoku Mehmet, se nuk të rritet më. Sa për kokën e misrit, unë bëhem garant se bëhet përsëri...! E normalisht, me një nënqeshje të mirë dukur, një dorë e ka drejtuar në drejtim të kundërt me atë të drejtuar nga ajo e Kryeministrit të Shqipërisë. Gjatë gjithë kësaj kohe, Enver Hoxha nuk ka folur, por ka ndjekur bisedën me një qëndrim serioz, dhe duart në xhepa të pantallonave.
Historia nuk ka vonuar shumë. Vetëm 20-të vite mbas vizitës së Hrushovit e në afërsi të Shtojit, u ngrit “Instituti i Misrit dhe Orizit” i famshëm në Shkodër dhe në të gjithë vëndin. Ky institut prodhoi farërat që e bënë misrin mbi 2 metra, dhe në Shkodër u morën kuintalët për hektar më të lartat në Shqipëri, duke pasur një prodhim cilësor të kësaj kulture bujqësore. Por ndodhi gjithashtu që në vitin 81, ish Kryeministri Shehu vrau veten, ose sëpaku kështu u tha nga njeriu që me duar në xhepa, dëgjonte atëhere replikat e njeriut që kishte dënuar krimet e Stalinit dhe njeriut që “vinte bast kokën e tij” se nuk rritej misri në Shkodër.
Megjithatë batutat, por sidomos fotot, e këtij rasti historik të fillimit të prishjes së miqësisë me Bashkimin Sovjetik janë edhe në arkivin e Muzeut Historik të Shkodrës dhe tregojnë me një realizëm të jashtëzakonshëm fytyrat e revizionistit Hrushov dhe të marksist - leninistëve shqiptarë.
Autori është gazetar-historian, përgjegjës i Arkivit të Muzeut Historik Shkodër